Vendosni fjalën kyçe....

“Të hetohet bllokimi i fondeve të IPARD, fermerët janë goditur rëndë” – Partia e Lirisë


Bllokimi i fondeve të programit të BE-së IPARD ka goditur sektorin e bujqësisë dhe ka rënduar situatën e fermerëve shqiptarë, ka deklaruar Partia e Lirisë.

Përmes një deklarate, kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur për menaxhimin e fondeve IPARD, zhbllokimin e tyre sa më shpejt dhe krijimin e një mekanizmi monitorimi që, sipas saj, do të garantojë që fondet të shkojnë te fermerët.

Po ashtu Partia e Lirisë kërkon edhe një paketë emergjente kombëtare mbështetëse për fermerët dhe politika mbrojtëse për prodhimin vendas.

Deklarata

“Partia e Lirisë shpreh shqetësim të thellë për gjendjen dramatike në të cilën ndodhen fermerët shqiptarë, të cilët sot, të braktisur nga shteti dhe të pambrojtur nga politikat e qeverisë, po detyrohen të hedhin produktet e tyre në kanale dhe në rrugë. Qumështi derdhet, perimet dhe frutat kalben, ndërsa djersa dhe mundi i tyre zhvlerësohen përballë mungesës së tregut dhe mbështetjes reale. Këto pamje janë dëshmia më e qartë e dështimit të politikave bujqësore dhe mungesës së një vizioni serioz për prodhimin vendas. Situata bëhet edhe më e rëndë kur e lidhim me faktin e bllokimit të fondeve të programit IPARD, për shkak të dyshimeve dhe aferave korruptive që kanë tronditur menaxhimin e tyre. Në vend që fondet europiane të shkonin tek fermerët e ndershëm, tek investimet në sera, në agropërpunim, në magazina frigoriferike dhe modernizim të fermave, ato u bënë objekt hetimesh dhe pezullimesh, duke dëmtuar drejtpërdrejt sektorin.

Bllokimi i fondeve IPARD është një goditje e dyfishtë. Së pari, fermeri shqiptar humbet mundësinë për financim dhe modernizim. Së dyti, dëmtohet besimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve shqiptare. Sot fermerët përballen me rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit. Mungesë subvencionesh të drejtpërdrejta dhe transparente. Konkurrencë të padrejtë nga importet, që kanë mbytur tregun shqiptar. Mungesë infrastrukture për ruajtje, grumbullim dhe përpunim dhe pasiguri të plotë për të ardhmen. Fermeri shqiptar nuk kërkon favore politike. Ai kërkon rregulla të drejta, mbështetje reale dhe siguri që fondet publike dhe europiane të mos përfundojnë në xhepat e qeveritarëve. Partia e Lirisë kërkon: Hetim të plotë, transparent dhe të pavarur mbi menaxhimin e fondeve IPARD.

Rikthimin sa më parë të besimit të partnerëve europianë dhe zhbllokimin e fondeve. Krijimin e një mekanizmi të ri monitorimi për të garantuar që çdo qindarkë të shkojë tek fermerët. Paketë emergjente kombëtare mbështetëse për fermerët e dëmtuar dhe politika mbrojtëse për prodhimin vendas dhe kontroll të standardeve të importeve. Bujqësia është sektor strategjik dhe themel i sigurisë ushqimore kombëtare. Braktisja e fermerëve dhe lejimi i korrupsionit në fondet që duhej t’i mbështesnin ata, është papërgjegjshmëri e rëndë. Partia e Lirisë do të jetë në krah të fermerëve shqiptarë dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale për çdo dëm të shkaktuar. Fermeri nuk mund të paguajë faturën e korrupsionit qeveritar. Është koha për llogaridhënie, transparencë dhe mbështetje konkrete për prodhimin shqiptar.”