
Investimet publike vijojnë të kryhen, por shpesh privatët nuk paguhen në kohë, ndërsa një tjetër problem i hershëm, largimet e padrejta nga puna në administratë, vazhdon të rëndojë mbi buxhetin e shtetit.
Raporti i fundit i Ministrisë së Financave të Shqipërisë tregon se detyrimet e prapambetura të ministrive dhe bashkive janë ulur gjatë vitit 2025, por sfidat e vjetra mbeten ende të pranishme. Në total, borxhet e pushtetit qendror dhe atij vendor arritën në 5.8 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga rreth 7.3 miliardë lekë në fund të vitit 2024. Kjo do të thotë se detyrimet janë tkurrur me rreth 1.48 miliardë lekë.
Detyrimet e prapambetura
Dhjetor 2024: 7,327 mln lekë
Dhjetor 2025: 5,847 mln lekë
Diferenca: -1,480 mln lekë
Pushteti qendror ka rreth 1.5 miliardë lekë borxhe. Lista kryesohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 332 milionë lekë, e ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë me 260 milionë lekë, Ministria e Bujqësisë me 256 milionë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes me 244 milionë lekë.
Borxhet sipas bashkive
Detyrimet e pushtetit vendor arrijnë në rreth 2.9 miliardë lekë. Bashkia me nivelin më të lartë të borxheve është Kavaja me 755 milionë lekë, e ndjekur nga Tirana me 570 milionë lekë. Më pas renditen Pogradeci me 220 milionë lekë, Vora me 184 milionë lekë dhe Rrogozhina me 140 milionë lekë.
Raporti thekson se investimet janë shkaku kryesor i krijimit të detyrimeve. Rreth 1.6 miliardë lekë borxhe lidhen me investime të kryera nga privatët, të cilat ende nuk janë likuiduar nga shteti. Kjo problematikë është më e theksuar tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa në pushtetin vendor investimet e papaguara dominojnë në Bashkinë Vorë.
Borxhet sipas kategorisë
Investime: 1,621 mln lekë
Vendime gjyqësore: 712 mln lekë
Shërbime: 658 mln lekë
Një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve lidhet edhe me vendime gjyqësore për largime të padrejta nga puna në administratë. Rreth 712 milionë lekë i përkasin kësaj kategorie, ku pjesa më e madhe e detyrimeve është përqendruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme e Shqipërisë.
Për shkak se situata paraqitet më problematike në pushtetin vendor, ku ka edhe borxhe të trashëguara që nga reforma territoriale e vitit 2015, qeveria akordoi në fund të vitit të kaluar 1.2 miliardë lekë për të shlyer një pjesë të detyrimeve të bashkive.