
Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, reagoi sot përmes një videomesazhi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë se po mbron me çdo kusht ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas Berishës, “çështja Balluku është çështja Rama”, duke nënkuptuar se përgjegjësia politike për akuzat e ngritura ndaj saj lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin dhe qeverinë. Ai shtoi se kjo çështje nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa largimin e Ramës nga pushteti.
Gjatë reagimit të tij, kreu i opozitës kritikoi gjithashtu projektin për zhvendosjen e Porti i Durrësit drejt zonës së Porto Romano, duke e cilësuar atë një vendim të gabuar dhe me pasoja për ekonominë.
“Të dashur qytetarë, ju që ndoqët sot monologun e mashtrimit të së dielës, apo trillimet e javës e patë se si Edi Rama u përpoq me çdo kusht përsëri të bëjë avokatinë e Lubi Ballukut. Madje, tha se kjo është çështje e mbyllur. E vërteta është se, çështja Balluku nuk mbyllet kurrë dhe se çështja Balluku është vetëm çështja Rama dhe ajo mbyllet vetëm me largimin e Edi Ramës. Çështja Balluku është bërë një çështje ndërkombëtare dhe Edi Rama nuk mund ta mbyllë atë me një grusht hajdutësh në parlamentin e tij. Edi Rama vetë, demaskoi veten në këtë çështje dhe ai dëshmoi se është autori i të gjitha veprave penale të Lubi Ballukut.” – tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri, duke e krahasuar atë me çmimet në Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sipas tij, diferenca e madhe në çmime tregon se qytetarët shqiptarë po paguajnë më shumë për shkak të politikave të qeverisë. Në këtë kontekst, ai theksoi se çmimi i lartë i naftës në vend është “asgjë më shumë se çmimi Rama”.
“Çmimi i naftës ishte një trillim tjetër madhor që bëri sot ekspozenë e tij. Naftën, të dashur qytetarë, për të kuptuar se çfarë ndodh me naftën, gjithnjë keni parasysh çmimet e dy vendeve përreth, çmimin e naftës në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilat janë të pakëtn 70% më të ulëta se sa në Shqipëri.
Është e vërtetë që, lufta në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik rrit çmimin e naftës, por e vërteta është se kjo rritje, nga kjo rritje nuk përjashtohen Kosova dhe Maqedonia. Kështu që, faktori më kryesor i çmimit stratosferik të naftës në Shqipëri është vetë Edi Rama.
Çdo litër naftë që ju blini, keni taksën ndër më të lartat në botë, 1.1 euro për litër dhe kjo është taksa Rama. Ndaj dhe, çmimin e naftës ju lutem konsiderojeni si çmimin Rama. Nuk mund të ketë ulje të naftës duke mbajtur këtë çmim dy herë më të lartë se sa Maqedonia dhe Kosova.
Ndaj dhe të bashkohemi për këto arsye t’i japim përgjigje përfundimtare në datë 22 mars që shqiptarët dhe bota të mësojnë se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë kryehajdut, me këtë individ, me këtë me këtë qeveritar që nuk ka standard, normë as moral!”