Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se lideri i ri suprem i Iran është plagosur dhe mund të jetë edhe i shpërfytyruar, ndërsa konfliktit mes SHBA-së, Izrael dhe Iranit po i shtohet intensiteti.
Sipas Hegseth, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ndodhet në fshehje dhe është i plagosur. Ai bëri këto komente gjatë një deklarate në Pentagon, ku theksoi se operacionet ushtarake kanë në shënjestër kapacitetet ushtarake të Teheranit.
“Ne po rrëzojmë dhe po shkatërrojmë raketat që ata kanë në stok dhe, më e rëndësishmja, po sigurohemi që ata të mos kenë më aftësi për të ndërtuar të tjera,” deklaroi ai.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite ka kryer sulme të reja në kryeqytetin iranian, Tehran. Pamje të analizuara nga media ndërkombëtare tregojnë një shpërthim pranë një tubimi pro-qeveritar në qytet, pas një vale të re bombardimesh.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite hodhi fletëpalosje mbi Beirut duke u bërë thirrje banorëve të ngrihen kundër Hezbollah, një nga aleatët kryesorë të Iranit në rajon.
Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane konfirmoi se të gjashtë anëtarët e ekuipazhit të një avioni furnizimi me karburant që u rrëzua mbi Irak kanë humbur jetën. Autoritetet amerikane theksuan se incidenti nuk ishte shkaktuar nga zjarr armik apo nga gabime të forcave aleate.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të lehtësojnë përkohësisht disa sanksione ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve globale të energjisë në mes të tensioneve të reja gjeopolitike.
