Vendosni fjalën kyçe....

GJK rrëzon ankimimin e ish-ministrin Ilir Beqaj dhe e lë në burg


Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen me kërkues ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili kishte paraqitur ankim kushtetues individual kundër vendimeve gjyqësore që caktuan ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Beqaj kishte kërkuar shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatave të posaçme dhe të Gjykata e Lartë e Shqipërisë, duke pretenduar se ato binin në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke kërkuar kthimin e çështjes për rigjykim në shkallën e parë.

Sipas vendimit, ankimi lidhej me masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila në korrik 2024 kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”, vendim që më pas u la në fuqi edhe nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kufizimi i lirisë personale të Beqajt është bërë në përputhje me ligjin dhe mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për veprat penale për të cilat ai po hetohet. Sipas gjykatës, vendimet e gjykatave të zakonshme janë mbështetur në prova dhe në rrethanat e hetimit penal.

Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se nuk ka pasur shkelje të të drejtës për liri personale dhe as të parimit të sigurisë juridike apo proporcionalitetit në caktimin e masës së sigurimit.

Sipas hetimeve të SPAK, Beqaj dyshohet për disa vepra penale që lidhen me procedura prokurimi dhe përfitime të paligjshme gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), përfshirë mashtrim, korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera.

Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-ministrit, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.