
Policia e Shtetit në Elbasan ka bërë publike planin e masave të ndërmarra me rastin e festimeve të Ditës së Verës. Sipas njoftimit zyrtar, në datat 13 dhe 14 mars do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit.
Gjithashtu bëhet me dije se për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga Elbasan Arena deri te rrethrrotullimi 1 Maji.
Policia njofton se të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës së festimeve, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitete, në akset kryesore rrugore dhe në hyrje-daljet e qytetit.
Ndalimi i parkimit në qendër
Gjatë këtyre ditëve ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit Aqif Pasha. Shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë në terren për orientimin dhe devijimin e trafikut.
Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit sipas drejtimeve nga vijnë në qytet:
Mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit) do të parkohen te Parku i Mallrave në Elbasan;
Mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut) do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional në Elbasan dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike;
Mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve) do të parkohen te Shkolla Profesionale Sali Ceka, pranë doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Ndryshime edhe për autobusët
Policia njofton gjithashtu se autobusët e linjës Tiranë–Elbasan do të stacionohen pranë doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës Elbasan–Cërrik do të stacionohen te ish-ofiçina në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë për të garantuar zhvillimin normal të festimeve.