
Kompania kineze BYD do synojë të sfidojë Porsche dhe BMW në tregun evropian të makinave luksoze me një automjet elektrik që mund të karikohet në vetëm pesë minuta.
BYD, e cila kaloi Tesla-n si prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike vitin e kaluar, tregoi për herë të parë teknologjinë e saj të karikimit rrufe një vit më parë, e cila mundëson që një makinë të karikohet pothuajse po aq shpejt sa mbushja e një makine me benzinë.
Modeli Z9GT, pjesë e markës premium Denza, mund të karikohet 70 për qind në pesë minuta dhe të jetë pothuajse plot në 12 minuta, madje edhe në temperatura deri në minus 30 gradë Celsius.
Automjeti ka një rreze lëvizjeje deri në 800 km dhe do vijw në Evropë muajin e ardhshëm dhe në Britani gjatë verës. Çmimet ende nuk janë bërë të ditura.
Drejtuesja ndërkombëtare e BYD, Stella Li, tha se Z9GT shënoi një çast historik të rëndësishëm pasi nisi shtrirjen globale të karikimit rrufe.
Prodhuesi kinez i makinave është zgjeruar në mënyrë agresive në Britani dhe Evropë me makina elektrike të përballueshme dhe hibride, ndërkohë që shitjet në tregun vendas kanë rënë nën presion nga një goditje e qeverisë ndaj konkurrencës së çmimeve.
Shitjet e BYD në Kinë ranë 41 për qind në shkurt krahasuar me të njëjtin muaj në 2025, duke shënuar rënien më të madhe në pesë vjet. Analistja e Bernstein, Eunice Lee, parashikoi që dërgesat e marsit do mbeten nën presion, me një rimëkëmbje që pritet në tremujorin e dytë pasi BYD të prezantojw më shumë modele me karikim rrufe, shkruan FT.
Shënjestrimi i markave si Porsche, BMW dhe Mercedes-Benz shënon zgjerimin e ofertave të BYD nga tregu i zakonshëm drejt atij të shtrenjtë. Grupi kinez nisi sipërmarrjen e përbashkët Denza me Mercedes-Benz në vitin 2010 dhe mori kontrollin e plotë në vitin 2024.
Shitjet e BYD në Britani dhe Evropë u rritën më shumë se trefish vitin e kaluar në gati 190,000 automjete, sipas Acea. Që nga janari, ajo kishte një pjesë tregu prej 1.7 për qind në BE, me një pjesë prej 2.4 për qind në tregun e Britanisë muajin e kaluar.
BYD tha se do fillojë instalimin e qindra “pikave të karikimit rrufe” në Evropë këtë vit. Ajo ka tashmë më shumë se 4,200 pika në Kinë dhe synon të ketë 20,000 në funksionim në mbarë botën deri në fund të vitit.