
Teksa institucionet shtetërore u detyruan ti ktheheshin për disa javë plotësimit manual të transaksioneve duke kërkuar një numër nga Thesari, më në fund është shpallur kompania fituese për kontratën “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave”.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi në sistemin e prokurimit se kompania fituese ishte COMMUNICATION PROGRESS me një ofertë 99.9 milionë lekë pa TVSH apo rreth 1 milionë euro.
Tenderi “Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) – Për Ministrinë e Financave” u çel në mes të korrikut të vitit të kaluar me një fond limit rreth 1.7 milionë euro.
Por ashtu siç ka ndodhur me procedurat e tjera të AKSHI edhe ky tender ka kaluar në një sërë ankimimesh ku për më të fundit Komisioni i Prokurimit Publik dha vendimin në 27 janar duke rrëzuar ankesën dhe duke i lënë të hapur mundësinë autoritetit kontraktor të vijonte me procedurat e finalizimit.
Vonesat detyruan Ministrinë e Financave që të njoftonin institucionet e tjera për hapat që duhet të ndiqnin në kushtet e mosfunksionimit të sistemit AFMIS.
“Njoftohen të gjithë Autoritetet/ Entet Kontraktore buxhetore të cilët për zhvillimin e procedurave të prokurimit duhet të pajisen me numër transaksioni nga dega e thesarit, se: Referuar Urdhër Nr.18 Prot.,datë 04.02.2026 “Për vijimin e procesit të ekzekutimit të buxhetit të shtetit për vitin 2026, në kushtet e mosfunksionimit të Sistemit AFMIS”, të Ministrisë së Financave, autoritetet/entet kontraktore duhet të kërkojnë në adresën e email-it info@app.gov.al, heqjen e integrimit me AFMIS me qëllim vijueshmërinë e hapave të mëtejshem të procedures” thuhej në njoftimin bërë publik në faqen e Prokurimeve.
Tenderi për AFMIS
Mirëmbajtja e sistemit informatik të menaxhimit financiar sipas dokumenteve parashikohej që të bëhej për dy vite përmes kontratës së shpallur.
Komponentët kryesore që kishte kjo procedurë që lidheshin me aspektet softuerike si dhe infrastrukturën mbështetëse.
“Objekti kryesor i këtij shërbimi është mirëmbajtja e Sistemit të Menaxhimit Financiar Shqiptar (Albanian Financial Management Information System – AFMIS) në çdo komponent të tij, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së punës 99.95% dhe për të gjithë komponentët dhe shërbimet e ofruara nga ky sistem.
Komponentët kryesore të sistemit AFMIS, objekt i mirëmbajtjes së kësaj kontrate janë:
i)Sistemi AFMIS në të gjitha komponentet e tij softëare që përfshin modulet informatike si më poshtë vijon:
– Web portalin e Arshives Elektronike (AFMIS Web Portal)
– Medium-Term Budget Planning (MTBP)
– Public Investment Management (PIM)
– Budget Project Portfolio Monitoring (BPPM)
– Integrimi i sistemit AFMIS me SIFQ
– Ndërfaqet e integrimit AFMIS me sistemet e tjera (SIFQ, IPSIS, APP, EAMIS, HRMIS).
ii) Infrastruktura mbështetëse e sistemit që konsiston në pajisjet fizike (servera fizike dhe virtuale, storage, pajisje rrjeti) në site primar dhe sekondar, si dhe shërbimet mbështetëse të infrastrukturës si psh virtualizim dhe cluster-izim” thuhej në dokumente.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor