
Irani ka nisur të enjten në mëngjes një seri sulmesh me dronë dhe raketa, ndërsa lufta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin po i afrohet javës së dytë, përcjell Euronews.
Alarmet ajrore janë aktivizuar në Izrael, pasi autoritetet paralajmëruan për sulme të reja nga Irani. Ndërkohë, shtetet e Gjirit po përgatiten për mundësinë e sulmeve të tjera në rajon.
Sulmet e fundit vijnë ndërsa Irani ka intensifikuar goditjet hakmarrëse dhe ka shënjestruar edhe anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kjo situatë po kërcënon logjistikën globale të energjisë dhe ekonominë ndërkombëtare.
Në këtë klimë tensioni, çmimi i naftës Brent crude është rritur sërish mbi 100 dollarë për fuçi të enjten, vetëm pak ditë pasi arriti nivelin e rreth 120 dollarëve për fuçi. Rritja e çmimeve ka tronditur tregjet globale dhe ka shtuar shqetësimet për stabilitetin energjetik.
Sulmet e fundit kanë zbehur edhe efektin e një vendimi të rëndësishëm për lirimin e rezervave strategjike të naftës nga International Energy Agency (IEA), me synimin për të stabilizuar tregun.
IEA njoftoi se vendet anëtare kanë rënë dakord të nxjerrin në treg rreth 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike, nga të cilat 172 milionë fuçi do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara, për të zbutur ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga lufta me Iranin.