
Investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri arritën në mbi 150 milionë euro gjatë vitit 2025, duke tejkaluar lehtë planin vjetor të financimit.
Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), për vitin 2025 ishin planifikuar fonde prej 14.46 miliardë lekësh, ndërsa disbursimet arritën në 14.76 miliardë lekë, që përfaqëson një realizim prej 102%.
Pjesa më e madhe e financimit erdhi nga buxheti i shtetit. Nga totali i investimeve të disbursuara, rreth 11.66 miliardë lekë, ose 79%, u financuan nga qeveria shqiptare, ndërsa 3.1 miliardë lekë, ose rreth 21%, u mbuluan nga donatorë të huaj përmes marrëveshjeve me qeverinë.
Investimet janë zbatuar kryesisht përmes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) dhe janë përqendruar në ndërtimin dhe rehabilitimin e sistemeve të furnizimit me ujë, si dhe në kontrata studimi, projektimi dhe mbikëqyrjeje.
Në nivel më të gjerë, portofoli i projekteve të raportuara përfshin rreth 290 investime infrastrukturore për periudhën 2019–2025, me një vlerë totale kontratash prej rreth 39.3 miliardë lekësh dhe realizim financiar kumulativ prej afro 25.5 miliardë lekësh.
Sipas analizës së ERRU, rreth 71% e projekteve – ose 206 investime – lidhen drejtpërdrejt me furnizimin me ujë të pijshëm. Në aspekt financiar, këto projekte përfaqësojnë më shumë se 66% të vlerës totale të kontratave, duke reflektuar prioritetin që i është dhënë përmirësimit të aksesit në ujë dhe modernizimit të infrastrukturës bazë.
Megjithatë, raporti vëren se, pavarësisht volumit të konsiderueshëm të investimeve, përmirësimi i treguesve financiarë të shoqërive të ujësjellësve mbetet i pabarabartë. Sipas ERRU, ndërhyrjet infrastrukturore, në mungesë të reformave paralele në menaxhim, rritje të eficiencës operative dhe përmirësim të strukturës tarifore, nuk janë të mjaftueshme për të garantuar vetëqëndrueshmëri financiare të sektorit.
Raporti gjithashtu evidenton një balancë të kufizuar midis investimeve në furnizimin me ujë dhe atyre për kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura, si dhe një fragmentim territorial të ndërhyrjeve. Në disa raste, projektet nuk janë të lidhura plotësisht me kapacitetet operative dhe financiare të shoqërive rajonale të ujësjellësve, duke rritur rrezikun që përmirësimet infrastrukturore të mos shoqërohen me qëndrueshmëri afatgjatë të shërbimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor