
Deputeti demokrat Klevis Balliu shkruan se vendimi i Ramës për mbrojtjen e Ballukut tregon se misioni i vetëm i tij është grabitja e zhvatja e qytetarëve dhe të mbushë xhepat e pushtetarëve.
Ai komentoi vendimin e deputetëve socialistë kundër heqjes së imunitetit të ish-zv.kryeministres Balluku teksa thekson se ky është një vendim që pengon drejtësinë dhe tregoin fytyrën e vërtetë të pushtetit.
“Vendimi i Ramës sot është pasqyra më e pastër e pushtetit të tij. Prej kohësh kemi denoncuar se kjo qeveri ka një mision të vetëm: të zhvatë qytetarët shqiptarë dhe të mbushë xhepat e pushtetarëve. Prej kohësh kemi theksuar se ky pushtet përdoret si mburojë politike për të mbrojtur dhe legjitimuar abuzimet e veta. Sot, përmes një vendimi të paprecedentë, një parti politike ndërhyri për të penguar drejtësinë të ushtrojë funksionin e saj kushtetues. Ky veprim ekspozon qartë fytyrën reale të këtij pushteti: burg për qytetarët e zakonshëm dhe amnisti për Ramën dhe për ata që kanë abuzuar me besimin publik. Dua gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për komunitetin ndërkombëtar, i cili sot, me një zë të unifikuar, dënoi këtë akt antikombëtar dhe kriminal një veprim që cenon rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet familja perëndimore dhe euroatlantike.” – shkruan Balliu.