Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja shpall Afganistanin “Shtet Sponsor të Ndalimeve të Paligjshme”


Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur Afganistanin “Shtet Sponsor të Ndalimeve të Paligjshme”, duke akuzuar lëvizjen talebane se mban shtetas amerikanë si mjet presioni politik, përcjell DW.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se talebanët përdorin “taktika terroriste”, përfshirë rrëmbimin e personave për shpërblim ose për koncesione politike, dhe paralajmëroi se Afganistani nuk është një vend i sigurt për udhëtarët amerikanë.

Përcaktimi “State Sponsor of Wrongful Detention” është pjesë e një liste të zezë të krijuar me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump në shtator, që synon qeveritë e akuzuara për të ashtuquajturën “diplomaci pengjesh”.

Rubio u bëri thirrje talebanëve të ndalojnë këtë praktikë dhe të lirojnë dy shtetas amerikanë që besohet se ndodhen në paraburgim: Mahmood Habibi dhe Dennis Coyle. Habibi, një biznesmen afgan-amerikan dhe ish-drejtues i autoritetit të aviacionit civil në Afganistan, rezulton i zhdukur në Kabul që nga gushti i vitit 2022, ndërsa Coyle u arrestua në janar të vitit 2025.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka ofruar gjithashtu një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kthimin e Habibit.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, kërkoi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rishikimin e ndihmës ndërkombëtare për Afganistanin, duke theksuar se talebanët nuk po respektojnë angazhimet ndërkombëtare dhe po mohojnë të drejtat themelore të grave.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, Afganistani po përballet me një nga krizat më të rënda humanitare në botë, ku rreth një e treta e popullsisë vuan nga mungesa akute e ushqimit.