Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e industrisë, bie me 35% numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2025


Lejet e ndërtimit dhe sipërfaqet për objektet industriale kanë pësuar rënie të ndjeshme vitet e fundit, duke reflektuar krizën që po kalon sektori nga rënia e euros, rritja e pagës minimale dhe dobësimi i kërkesës për mallra nga jashtë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2025 u dhanë vetëm 91 leje ndërtimi për objekte industriale në të gjithë vendin, nga 132 në vitin 2024, me një rënie prej 31%. Të njëjtën trajektore ndoqi edhe sipërfaqja e objekteve, e cila pësoi rënie vjetore me 24% në vitin 2025.

Rënia e investimeve në ndërtesa industriale është një tregues i drejtpërdrejtë i dobësimit të kapaciteteve prodhuese në afatmesëm. Ndërtimi i më pak fabrikave, magazinave apo impianteve industriale do të thotë më pak prodhim në të ardhmen, më pak vende pune dhe një bazë më e dobët eksportuese. Industria është një nga sektorët kryesorë që gjeneron eksporte dhe punësim të qëndrueshëm; për rrjedhojë, tkurrja e investimeve aktualisht përkthehet në rënie të eksporteve dhe në ngadalësim të punësimit nesër.

Pa investime të reja në kapacitete prodhuese, ndërmarrjet e industrisë kanë më pak mundësi të rrisin prodhimin, të modernizojnë teknologjinë apo të përballojnë konkurrencën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, mungesa e projekteve të reja industriale kufizon hapjen e vendeve të reja të punës, duke ushqyer një cikël negativ për sektorin.

Sektori i industrisë është futur në një cikël të gjatë krize si pasojë e kombinimit të një sërë faktorësh. Rritja e vazhdueshme e pagës minimale në Shqipëri po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha. Në muajin janar, shumë fabrika të vogla dhe të mesme janë mbyllur pasi nuk kanë përballuar kostot e larta të pagës minimale, e cila nga 40 mijë lekë në vitin 2025, u bë 50 mijë lekë në vitin 2026.

Kjo mbyllje është reflektuar edhe në rënien e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve në muajin e parë të këtij viti. Ky sektor shiti 8 miliardë lekë në janar 2026, me rënie prej 5.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo situatë po përforcohet edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm. Kërkesa nga jashtë ka rënë, kostot logjistike janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa konkurrenca nga vendet e rajonit dhe Azisë mbetet e fortë. Shtetet e Azisë ofrojnë kosto më të ulëta të punës, duke u bërë më tërheqëse për porositësit ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, çdo rritje e kostove në Shqipëri e dobëson pozicionin konkurrues të fabrikave vendase./Monitor