Vendosni fjalën kyçe....

Tregu i kooperativave financiare u rrit me 13% vitin e kaluar


Tregu i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) e mbylli vitin 2025 me rritje dyshifrore.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit arriti vlerën e 19.4 miliardë lekëve ose afërsisht 200 milionë eurove. Vlera e aktiveve të tregut është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, madhësia e këtij sektori ngelet modeste në raport me segmentet e tjera të tregut financiar dhe kryesisht me sektorin bankar.

Asetet e SHKK-ve përbëjnë afërsisht 0.85% të totalit të aktiveve të sistemit bankar në vend. Aktivet e këtij sektori dominohen kryesisht nga huatë e dhëna për anëtarët. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të vitit 2025 arriti në 14.3 miliardë lekë, me rritje me 9.2% krahasuar me një vit më parë.

Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë shumë të vogël zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Shoqëritë e kursim-kreditit ose siç njihen ndryshe kooperativat financiare janë një segment i mikrofinancës, veçanërisht i fokusuar në zonat rurale të vendit, me qëllim kryesor financimin e ekonomive bujqësore.

Ato pranojnë depozita nga anëtarët dhe ofrojnë kredi për ta, duke pasur si qëllim kryesisht mbushjen e boshllëkut që krijon mungesa e pranisë së sektorit bankar në zonat rurale dhe periferike të vendit. Ky model ka rezultuar deri diku i suksesshëm për ofrimin e shërbimeve financiare në zonat që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të vitit të kaluar, depozitat përbënin afërsisht 63% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 12.3 miliardë lekëve, në rritje 6.8% me bazë vjetore.

Edhe në sektorin e SHKK-ve në dy vitet e fundit po vërehet një rritje e peshës së depozitave në valutë të huaj. Depozitat në valutë gjatë 2025 u rritën me10%, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit, duke qenë se bilanci raportohet në Lekë.

Ndërsa depozitat në monedhën vendase shënuan një rritje të ulët, me 6% krahasuar me fundin e vitit 2024. Pesha e depozitave në valutë ndaj totalit ka arritur në 23.1%, nga 22.5% që kishte qenë një vit më parë.

Në përgjithësi, SHKK-të ofrojnë norma interesi për depozitat më të larta se bankat tregtare, ndërsa paralelisht edhe kreditë në përgjithësi kanë norma më të larta interesi.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve.

Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Aktualisht, ASD raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave. / E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor