Vendosni fjalën kyçe....

9 persona të pandehur për ndërtimet pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhur


Dosja penale që lidhet me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhur në Shëngjin është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Lezhës.

Në total, janë marrë të pandehur 9 persona. Tre ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë – Gentjan Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani – akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Po për të njëjtën vepër penale do të përballen edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe polici i zonës së Shëngjinit, Martin Ndoka.

Ndërtuesi Pjetër Tuçi akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, ndërsa dy inxhinierët e ndërtimit, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, për “Falsifikim dokumentesh”.

Çështja tashmë do të kalojë në seancë paraprake, ku gjykata do të vendosë nëse dosja do të shqyrtohet në themel apo do të kthehet për plotësim hetimesh.