Vendosni fjalën kyçe....

Rama inspekton aksin Librazhd–Prrenjas: Gjithë tollovia që u shemb rruga është perversitet



Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore në aksin Librazhd–Prrenjas, e cila u hap pasi juglindja e vendit kishte mbetur e bllokuar për 11 ditë.

Ai shoqërohej nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, drejtuesi politik i PS-së për Elbasanin, Arbjan Mazniku, si dhe kryebashkiaku Gledian Llatja.

Pasi u njoh me detajet teknike të situatës së rrugës, ku specialistët shpjeguan se shembja erdhi si pasojë e reshjeve të shumta, Rama u shpreh se bëhet fjalë për një rrëshqitje të shkaktuar nga faktorë natyrorë.

“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga është një perversitet shumë i madh, sepse këtu jemi në aksin e ri. Aksi i ri nuk është i ndërtuar këtu, gjurma është këtej dhe nuk ka lidhje me atë atje. Kjo është një rrëshqitje e shkaktuar nga shirat”, tha Rama.

Ministri Enea Karakaçi sqaroi se kontrata e projektit parashikon edhe mbrojtjen lumore. Ndërsa Rama theksoi se bëhet fjalë për një nga kantieret më strategjike të vendit.

“Këtu jemi në një nga kantieret më strategjike të vendit, një nga veprat më të rëndësishme të programit tonë. Mbrojtja lumore është sipas standardeve më të larta, por puna vazhdon dhe ndodhin të papritura. Në këtë rast është një fenomen natyror për shkak të ngarkesës së shirave. Ndjesë njerëzve që u përballën me vështirësi”, u shpreh Rama.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri me dije se brenda 10 ditëve janë kryer punime për disiplinimin e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore.

Segmenti provizor, me gjatësi rreth 200–300 metra dhe i paasfaltuar, ndodhet në vendin e quajtur Arrat e Rrugës. Ai kalon përmes rrugës së vjetër të shembur dhe trasesë ku po punohet për Korridorin VIII, duke funksionuar aktualisht me sinjalistikë kantieri.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, rruga do të asfaltohet pasi të arrihet stabiliteti i shtresave të tokës. Qarkullimi në këtë devijim provizor do të vijojë deri në ndërtimin e rrugës alternative prej 1.3 kilometrash, e cila pritet të kërkojë të paktën dy muaj kohë.