Vendosni fjalën kyçe....

Abdixhiku mirëpret dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani Sadriu për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e mbështetur dhe mirëpritur këtë vendim.

Abdixhiku ka vlerësuar përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar nga presidentja në këtë vendim, duke theksuar se ai është në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit.

LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.

Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.

Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit.”