
Nisma e Partisë Socialiste për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit ka shkaktuar përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk ishte pyetur për këto ndryshime, duke akuzuar mazhorancën për injorim dhe shkelje të Kushtetutës.
“Thatë i kemi diskutuar me disa prej jush! Po nëse i keni diskutuar, thojani se me kë. Ju nuk keni diskutuar asnjë ndryshim me opozitën. Kur miratuat ndryshimet para 4 muajsh, sapo ishit ulur në këtë karrige ju thamë; ndaluni se po shkelni Kushtetutën. Me vendosmëri, ju vijuat me shkeljen e rregullave dhe porositë e njërës anë. Do të duhej të ishit ngritur në këmbë dhe të kishit kërkuar falje, që me vetëdije keni shkelur Kushtetutën për të injoruar dhe përdhunuar opozitën. Kjo do të ishte sjellje normale prej një kryetari. Në vend që të dilni dhe të thoni ‘Taulanti i ka shkruar!’”, u shpreh Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se çdo deputet ka të drejtë të propozojë ndryshime në rregullore dhe se nisma nuk kërkon miratim paraprak nga opozita.
“Çdo deputet mund të propozojë ndryshime në rregullore. Nuk i marr leje askujt nga krahu i majtë i kësaj salle, por është një proces i njoftuar nga ana jonë që do të ndërmarrim disa nisma. Është e nevojshme që në këtë fazë ku është vendi në procesin e anëtarësimit, duhet të përshtatim punën tonë parlamentare, jo me procedurë të përshpejtuar, por duhet të flasim për procedura të thjeshtuara”, tha Balla.
Debati vijon mes palëve, ndërsa ndryshimet e propozuara pritet të shqyrtohen në vijim në Kuvend.