Pentagoni publikoi pamje të momentit kur një luftanije iraniane u godit nga një silur i lëshuar nga një nëndetëse amerikane dhe u fundos në Oqeanin Indian, rreth 25 milje në jug të Sri Lankës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se SHBA ishte përgjegjëse për fundosjen e fregatës “IRIS Dena”, duke e cilësuar goditjen si një “vdekje të heshtur”.
“Dje, në Oqeanin Indian, një nëndetëse amerikane fundosi një luftanije iraniane që mendonte se ishte e sigurt në ujëra ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ajo u fundos nga një silur – një vdekje e heshtur.
Është fundosja e parë e një anijeje armike me silur që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklaroi ai në një konferencë në Pentagon.
Autoritetet e Sri Lankës konfirmuan se të paktën 87 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 60 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Marina e vendit ka shpëtuar 32 marinarë nga fregata, e cila po kthehej nga një stërvitje ushtarake në Indi në momentin e sulmit.
Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zgjerohet përtej Lindjes së Mesme. Një raketë iraniane e drejtuar drejt Turqisë u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s, ndërsa tensionet u përshkallëzuan më tej.
Izraeli ka premtuar se do të eliminojë liderin e ardhshëm suprem të Iranit, ndërsa vendi po përgatitet të zgjedhë pasardhësin e Ali Khamenei.
Ceremonia mortore për Khamenein në Teheran është shtyrë për shkak të sulmeve të reja ajrore izraelite mbi kryeqytet.
Shtetet e Gjirit, përfshirë Dubain, Katarin dhe Arabinë Saudite, janë vënë gjithashtu nën sulme në kuadër të kundërpërgjigjeve iraniane, duke e shndërruar përplasjen në një krizë me përmasa globale.
Në planin politik, kryeministri britanik Keir Starmer ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump, duke deklaruar se ai nuk ka një “plan të zbatueshëm” për luftën me Iranin, në një kohë kur tensionet transatlantike po rriten.
