Një konflikt brenda IKMT-së ka trazuar ujërat e institucionit, teksa dy titullarët Afrim Qendro dhe Dashnor Sula kanë marrë masa provizore duke i pezulluar dy “sherrxhinjtë”, deri në sqarimin e të gjithë situatës nga organet ligjzbatuese.
Në konflikt u përfshi drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta dhe Klesti Çela, drejtori i Mjedisit. Aktualisht, në kërkim është shpallur Çela, bashkë me 3 persona të tjerë.
Sipas Policisë së Tiranës, e gjithë ngjarja ndodhi brenda ambienteve të institucionit të IKMT-së, teksa mësohet se drejtori i Mjedisit, është edhe kunati i biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për dosjen AKSHI, duke i dhënë jehonë akoma më të madhe.
Por, në çdo episod kur dy persona konfliktohen, “viktimë” mbetet i treti! Një informacion i pa konfirmuar ka dalë nga IKMT-ja, duke u pasqyruar në disa media, sipas së cilit bashkë me Çelën dhe Metën është pezulluar Edvin Bixha, këshilltar pranë kryeinspektorit të IKMT-së.
Duket se, për të larguar vëmendjen nga personazhet e lartpërmendur, mjaft të aluduar për veprime apo lidhje miqësie, është tentuar që “viktimë” të mbetet edhe Bixha.
Redaksia e Vox News ka kontaktuar me zotin Bixha, duke e pyetur për rrethanat e të gjithë episodit dhe nëse ka qenë i përfshirë.
Pa dhënë shumë detaje, Bixha tha se është larguar prej gati 2 javësh nga IKMT-ja, me dorëheqje.

Faksimile: Vendimi i largimit të Edvin Bixhës nga posti si këshilltar pranë IKMT-së, datës 23 shkurt 2026
Madje, redaksia e Vox News ka siguruar edhe një urdhër, të datës 23 shkurt 2026, për largimin nga funksioni i këshilltarit të Edvin Bixhës.
Dokumenti është zyrtar, ka një numër 78, teksa kryeinspektori i ri i IKMT-së, Afrim Qendro, e ka firmosur dhe urdhëron “largimin e z. Edvin Bixha dhe marrëdhëniet administrative dhe ato financiare i ndërpriten më datë 23 shkurt 2026”.
Tani, si mund të ketë lidhje ky person me ngjarjen në fjalë, teksa ai është larguar prej ditësh nga institucioni? Urdhri është i prerë, pasi asnjë veprim i Bixhës nuk ka ndikuar në ngjarjen në fjalë.
Në fakt, në gjithë këtë histori, personat përgjegjës janë pikërisht zyrtarët dhe ata që nuk e parandaluan. Nga titullarët, te personat e përfshirë apo edhe veprimet e mangëta në sqarimin e të gjithë situatës.
Si mund të fusësh një person të tretë në gjithë këtë histori, që ka ndodhur ditët e fundit, me një ish punonjës që është larguar prej javësh nga institucioni.
Dokumenti është tepër i qartë, teksa edhe organet ligjzbatuese e kanë mjaft të qartë të gjithë ngjarjen, pasi institucioni ka kamera dhe atje duken të gjitha veprimet. Nëse kanë ose jo dëshirë për t’a zbardhur kjo mbetet për t’u parë, teksa përfshirja e një të treti, është shumë bërë me dashakeqësi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Vox News
