Vendosni fjalën kyçe....

Hegseth: SHBA po “fiton në Iran”, forca shtesë drejt Lindjes së Mesme


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po “fitojnë në Iran”, ndërsa njoftoi mbërritjen e forcave shtesë amerikane në rajon dhe paralajmëroi një fushatë të intensifikuar ushtarake në koordinim me Izraelin.

“Po i godasim ndërsa janë të dobësuar. Valë të tjera po vijnë. Sapo kemi filluar”, u tha Hegseth gazetarëve në Pentagon, përcjell Ynet.

Ai shtoi se SHBA dhe Izraeli do të kenë “kontroll të plotë të qiellit iranian brenda më pak se një jave” dhe se Uashingtoni do të përdorë një “stok të pakufizuar bombash precize me gravitet”.

Sipas tij, Irani “nuk kishte asnjë qëllim të negocionte një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara”.

Në një zhvillim tjetër, Hegseth konfirmoi se një nëndetëse amerikane fundosi një luftanije iraniane pranë brigjeve jugore të Sri Lankës. Anija është identifikuar nga autoritetet e Kolombos si fregata “IRIS Dena”.

Ministri i Jashtëm i Sri Lankës, Vijitha Herath, deklaroi në parlament se në bord ndodheshin 180 persona. Sipas autoriteteve detare, 32 persona janë shpëtuar dhe po trajtohen në një spital në qytetin port të Galles, ndërsa trupa të pajetë janë nxjerrë nga deti.

Zëdhënësi i marinës së Sri Lankës, komandant Buddhika Sampath, tha se forcat vendase morën një sinjal emergjence nga anija iraniane dhe nisën operacion kërkim-shpëtimi në bashkëpunim me forcat ajrore.

Sipas tij, në vendngjarje u konstatuan vetëm njolla nafte dhe jo prania e një anijeje, ndërsa incidenti ndodhi jashtë ujërave territoriale të Sri Lankës.

Ndërkohë, ushtria amerikane deklaroi se ka vrarë një zyrtar iranian që drejtonte një njësi të dyshuar për përfshirje në një komplot për atentat ndaj Presidentit Donald Trump.

“Udhëheqësi i njësisë që tentoi të vriste Presidentin Trump është gjetur dhe eliminuar”, tha Hegseth, pa bërë publik emrin e tij. Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte ngritur akuza ndaj një shtetasi iranian për një plan të dyshuar të porositur nga Garda Revolucionare Islamike për të vrarë Trumpin, atëherë president i zgjedhur.

Hegseth deklaroi gjithashtu se nuk sheh “asnjë arsye” që lëshimi i një rakete balistike iraniane drejt Turqisë të aktivizojë nenin 5 të NATO-s për mbrojtje kolektive.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Mesdheun lindor interceptuan raketën iraniane që drejtohej drejt territorit turk. Mbetje të saj u gjetën në jug të Turqisë, pranë kufirit me Sirinë, ndërsa nuk u raportuan të lënduar.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i paraqiti një protestë homologut iranian, Abbas Araghchi, duke paralajmëruar se duhen shmangur hapa që mund të zgjerojnë më tej konfliktin.