Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori i BE-së thekson rëndësinë e dialogut politik për reformën zgjedhore në Tiranë



Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në një tryezë diskutimi mbi Reformën Zgjedhore, nënvizoi sot nevojën e vazhdueshme për dialog konstruktiv mes palëve politike.

Gonzato theksoi se reforma zgjedhore është një domosdoshmëri demokratike për qytetarët, duke garantuar besimin e tyre tek partitë dhe tek procesi i zgjedhjeve.

“Kur u takova së fundmi me dy bashkëkryetarët, u inkurajova nga qasja e tyre konstruktive. Në kontekstin aktual politik, fryma e dialogut për këtë reformë është thelbësore. Reforma duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe standardet ndërkombëtare. Interesimi për këtë çështje vjen në kohë kritike, pasi lidhet me integrimin europian. Ky është një çelës për të ardhmen e Shqipërisë,” u shpreh Gonzato.

Ai shtoi se besimi i qytetarëve tek zgjedhjet është thelbësor, ndërsa theksoi se mungesa e qartësisë në financimin e partive dhe mbikëqyrja e dobët minojnë besueshmërinë e institucioneve:

“Kur burimet e financimit janë të paqarta dhe mbikëqyrja është e dobët, besimi te këto institucione është i minuar.”

Deklarata e ambasadorit vjen në një moment vendimtar, ndërsa Shqipëria vazhdon procesin për përmirësimin e kornizës ligjore zgjedhore dhe për të përmbushur standardet e nevojshme për integrimin europian.