Vendosni fjalën kyçe....

Euroizimi i sektorit financiar pësoi rënie gjatë vitit të kaluar, por ngelet larg objektivave të BSH


Euroizimi i kredisë bankare pësoi rënie për të treti vit radhazi gjatë vitit 2025.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar kredia në valutë të huaj përbënte 44.2% të portofolit total të sektorit bankar.

Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë të huaj ka rënë me 1.1 pikë përqindje.

Gjatë kësaj periudhe, kreditë në valutë shënuan rritje, por rritja në tepricën e përgjithshme të kredisë ishte më e lartë, si pasojë e rritjes më të shpejtë të kredisë në Lek. Vlera e kredive në valutë (numëruesi) ka shënuar rritje me 10.5%, ndërsa totali i kredive ka shënuar rritje 13.4%.

Treguesi i kredive në valutë, në raport me totalin e kredive, ka pësuar rënie në 10 banka të sektorit.

Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, ku kreditë në Euro zënë rreth 99%, ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës së saj ndaj totalit të

kredive në valutë. Në fund të dhjetorit 2025, këto kredi shënuan 20.7% të kredive në

valutë, ose 9.2% të totalit të kredisë. Në terma absolutë, rënia e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit ishte me 9%, krahasuar me një vit më parë.

Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit,  domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut.

Në fund të vitit 2025 treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 51.4%. Niveli i raportit pësoi rënie me 0.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Për këtë raport, në terma vjetorë, është shënuar rritje e depozitave totale në nivelin 2.1% dhe rënie për depozitat në valutë në nivelin 2%.

Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave mbetet larg pragut të synuar prej 30%. Kjo shpërndarje sipas bankave vijon të paraqitet relativisht e afërt, me luhatje minimale në nivelet 45.8% deri në 57.9 %.

Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.

Në analizën periodike të ecurisë së treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se të dhënat e analizës për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë një përmirësim të qëndrueshëm, por ende të moderuar, në drejtim të uljes së përdorimit të valutës në sistemin financiar.

Treguesit kryesorë, përfshirë rënien e peshës së kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, rritjen e aktiveve likuide në valutë ndaj detyrimeve afatshkurtra, uljen e peshës së kredisë në valutë dhe qëndrueshmërinë e peshës së Lekut në depozitat afatgjata, mbështesin vlefshmërinë e masave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Vendosja e kufijve në treguesit e standardeve të kredisë së re për pasuri të paluajtshme rezidenciale vitin e kaluar mbështet gjithashtu përdorimin e monedhës vendase në sistemin financiar dhe në sektorët realë të ekonomisë.

Megjithatë, niveli i euroizimit mbetet i lartë, sidomos në strukturën e depozitave dhe të kreditimit, çka tregon se procesi kërkon ende ndërhyrje të koordinuara dhe një angazhim të vazhdueshëm institucional.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ruajtja e qasjes afatgjatë, forcimi i ndërgjegjësimit publik dhe adresimi i faktorëve strukturorë mbeten thelbësorë për të çuar përpara procesin e uljes së përdorimit të valutave në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive.

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare. Deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar. Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht ti ulin ato për Lekun./Monitor