Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën për median amerikane Axios se operacioni ushtarak amerikan në Iran mund të zgjasë për një periudhë të gjatë ose të përfundojë brenda pak ditësh.
“Kam disa dalje nga kjo situatë. Mund të zgjasë dhe të marrim kontrollin e të gjithë situatës, ose ta përfundojmë për dy ose tre ditë,” tha Trump në një intervistë telefonike nga Mar-a-Lago, duke lënë të kuptohet se kohëzgjatja dhe shtrirja e operacionit mbeten fleksibël.
Sipas tij, “në çdo rast, do t’u duhen disa vite për t’u rikuperuar nga ky sulm”, duke iu referuar dëmeve që, sipas administratës amerikane, janë shkaktuar ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore iraniane, përcjell Ynet.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur forcat amerikane, në bashkëpunim me Izraelin, po zhvillojnë një fushatë të gjerë ushtarake kundër objektivave në Iran.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump, i cituar nga Reuters, tha se vendimi për të nisur operacionin u bazua pjesërisht në informacione të inteligjencës që tregonin se Irani po përgatiste një sulm paraprak me raketa ndaj forcave amerikane.
“Nëse do të prisnim të goditeshim të parët, numri i viktimave dhe dëmet do të ishin ndjeshëm më të larta,” tha zyrtari.
Sipas tij, gjatë negociatave, Irani refuzoi të diskutojë programin e tij të raketave balistike dhe mbështetjen për forcat aleate në rajon.
Zyrtari shtoi se Shtetet e Bashkuara i ofruan Iranit disa mundësi për të mbajtur një program bërthamor civil dhe paqësor, përfshirë furnizimin e përhershëm me karburant bërthamor, por Teherani këmbënguli të ruajë kapacitetin e pasurimit të uraniumit.
“Ne po lexonim inteligjencë që tregonte se Irani ishte në proces rindërtimi të asaj që ishte shkatërruar në sulmet e qershorit të kaluar,” shtoi zyrtari.
Zhvillimet vijnë mes një përshkallëzimi të madh të tensioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa operacioni ushtarak vazhdon dhe situata mbetet e paqartë.
