Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Balluku ruan komandën, Rama nën hyqmin e saj



Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Belind Këlliçi, ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar të drejtuar nga Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se largimi i Belinda Ballukut nga posti i ministres është formal dhe se ajo vijon të ketë ndikim në sektorë kyç të qeverisjes.

Sipas tij, në fushën e energjetikës dhe infrastrukturës, ku përqendrohen fondet dhe interesat më të mëdha financiare, Balluku “ka ruajtur komandën”, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, sipas Këlliçit, është emëruar një bashkëpunëtor i saj i afërt. Ai shton se ndikimi i saj shtrihet edhe në sektorin e financave.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat pretendon se lëvizjet në kabinet janë diktuar nga Balluku dhe se kryeministri Rama është i kushtëzuar prej saj. Ai e lidh këtë situatë me, sipas tij, afera ku kreu i qeverisë është i përfshirë.

Në fund të mesazhit, Këlliçi bën thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar në Bulevard, në orën 18:00, duke ftuar qytetarët të bashkohen kundër qeverisë.