
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në ABC News Albania, deklaroi se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe SPAK e kanë “pushtuar” Shqipërinë në periudha dhe mënyra të ndryshme.
Sipas tij, Partia Demokratike, kur ishte në pushtet, e mori kontrollin e vendit me lehtësi, por më pas hyri në përplasje për shkak të mungesës së alternativës politike.
Nga ana tjetër, ai tha se SPAK “e pushtoi” vendin si pasojë e etjes së qytetarëve për drejtësi, duke nënvizuar se të dyja këto situata, sipas tij, kanë ardhur edhe si rezultat i pritshmërive dhe mbështetjes së vetë shoqërisë.
“Vrasjet e 21 janarit janë themeli. PD, e cila ishte në pushtet dje, e pushtoi vendin lehtë fare. PD hyri në dhunë, sepse nuk kishte alternativë, sepse e pushtoi vendin shpejt. SPAK e pushtoi vendin tonë, për arsye se Shqipëria ishte e etur për drejtësi.
Të dy palët e kanë pushtuar vendin pa mundin, e kanë pushtuar vendin me dëshirën tonë. Tani puna është, a do t’i gjejmë vrasjet e 21 janarit, a do t’i gjejmë vrasjet e Peshkëpisë?”, tha ai.
Në përfundim, analisti e vuri theksin te nevoja për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 21 janarit dhe atyre të Peshkëpisë, duke sugjeruar se, përtej “pushtimeve”, prova reale mbetet drejtësia dhe transparenca.