Vendosni fjalën kyçe....

Karteli meksikan i është vënë pas modeles që dyshohet se tradhëtoi El Mencho-n


Spiunë të një karteli meksikan droge thuhet se janë vënë në kërkim të një modeleje për përmbajtje për të rritur, pasi dyshojnë se ajo ka luajtur rol kyç në operacionin që çoi në vdekjen e bosit famëkeq të narkotikëve, i njohur si El Mencho. Sipas këtyre pretendimeve, ajo dyshohet se u ka përcjellë autoriteteve informacione të rëndësishme inteligjence, të cilat u përdorën si bazë për misionin që përfundoi me eliminimin e tij.

Lideri i Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG), me emrin e vërtetë Nemesio Ruben Oseguera Cervantes, humbi jetën gjatë një operacioni të zhvilluar të dielën, më 22 shkurt. Raportohet se forcat meksikane shfrytëzuan dobësinë e tij për lidhje romantike me gra për ta lokalizuar. Anëtarë të kartelit besnikë ndaj tij dyshojnë se një modele e platformës OnlyFans, e identifikuar si Maria Julissa, ishte pjesë e këtij zinxhiri informacioni dhe kanë nisur ta kërkojnë.

Influencuesja, e cila ka rreth 3.5 milionë ndjekës në Instagram, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje. Megjithatë, simpatizantë të Cervantes pretendojnë publikisht se ajo “dërgoi marinat”, duke e akuzuar për tradhti.

Në qytetin Zapopan, zonë e konsideruar bastion i CJNG-së, u var një pankartë në një urë ku ajo etiketohej me fyerje dhe akuzohej drejtpërdrejt për pjesëmarrje në bastisje. Mesazhi i ekspozuar publikisht e fajësonte për bashkëpunim me forcat shtetërore.

Autoritetet meksikane kishin deklaruar më herët se operacioni për kapjen e Cervantes u mbështet në informacione të siguruara nga një person i afërt me një prej partnereve të tij romantike. Sipas raportimit të Daily Mirror, ministri i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla Trejo, sqaroi se informacioni erdhi nga ky individ i tretë dhe jo drejtpërdrejt nga partnerja e liderit të kartelit.

Gjenerali Trejo shpjegoi se më 20 shkurt u identifikua një person i besuar i njërës prej partnereve të “El Menchos”, i cili e çoi atë në një pronë në Tapalpa, në shtetin Jalisco. Në atë vend, çifti u takua me Cervantes dhe një ditë më pas autoritetet morën informacion se ai do të qëndronte aty, gjë që çoi në planifikimin e operacionit.

Sipas tij, lideri i kartelit qëndronte në pronë me një rreth sigurie dhe më 21 shkurt u organizua ndërhyrja. Pas akuzave, Maria Julissa deklaroi në rrjetet sociale se çdo pretendim që e lidh me operacionin është “i rremë dhe i pabazuar”.

Ajo theksoi publikisht se nuk ka asnjë lidhje me situatën dhe u bëri thirrje ndjekësve të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara apo të besojnë çdo gjë që qarkullon online, duke paralajmëruar për pasojat e dezinformimit.

Modelja reagoi ashpër ndaj mediave kombëtare që e paraqitën si të dyshuarën kryesore, ndërkohë që autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e gruas që kishte lidhje romantike me Cervantes.

Nemesio Ruben Oseguera Cervantes ndërroi jetë teksa po transportohej drejt Mexico City, pasi ishte lokalizuar bashkë me rrethin e tij të ngushtë në një zonë pyjore pranë Tapalpas. Raportohet se ata po lëviznin drejt një kompleksi kabinash kur ushtria ndërmori një rrethim dhe e gjeti të fshehur mes shkurreve.

Ai u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me njësi elitare dhe dy persona u arrestuan gjatë operacionit, i cili shkaktoi trazira në disa shtete të Meksikës. Sipas raportimeve, edhe 25 anëtarë të Gardës Kombëtare humbën jetën gjatë këtij aksioni, shkruan Daily Star.