
Kryeministri Albin Kurti, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt, të cilën e falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, ku pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po trajnohen në akademitë ushtarake në Kanada.
Ky ishte takimi i parë mes tyre në mandatin e ri qeverisës, njofton Kryeministria.
Gjatë takimit, ambasadorja Blitt e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën, shkruan RTK.
Kurti në takim theksoi prioritetet e qeverisë për investime strategjike infrastrukturore, duke përfshirë digat, stadiumet, hekurudhat, energjinë dhe minierat, si dhe rritjen e investimeve në sektorin e mbrojtjes.
Kryeministri Kurti falënderoi gjithashtu ambasadoren Blitt për mbështetjen e Kanadasë ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), e cila do të mbahet në Toronto më 1–4 mars.
Anëtare e G7 dhe e NATO-s, Kanadaja mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës në promovimin e vlerave të përbashkëta dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.