Vendosni fjalën kyçe....

Linja hekurudhore Porto Romano – Sukth, ankimohet tenderi i projektit teknik


Tenderi për hartimin e projektit të detajuar teknik të linjës hekurudhore Porto Romano–Sukth është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, me argumente që lidhen me dokumentet e procedurës.

Në këtë fazë, ankimimet zakonisht përqendrohen te kushtet dhe specifikimet e vendosura nga autoriteti kontraktor, për të cilat operatorët ekonomikë shprehin rezerva.

Procedura u hap në gusht të vitit të kaluar dhe mbetet ende e papërfunduar. Autoritet kontraktor është Autoriteti Portual Durrës, ndërsa specifikimet teknike përfshijnë edhe Hekurudhën Shqiptare.

Projekti konsiderohet me rëndësi strategjike në funksion të planeve për zhvendosjen e portit të Durrësit në Porto Romano, megjithëse këto plane duket se kanë mbetur pa zhvillime të reja.

Në tetor të vitit të kaluar u njoftua se fituesi i garës ndërkombëtare për portin e ri do të shpallej më 31 janar 2026, por më shumë se një muaj pas afatit nuk ka ende njoftim zyrtar.

Linja e re

Sipas dokumenteve të tenderit, linja hekurudhore nga lidhja me rrjetin ekzistues deri në hyrje të portit të Porto Romanos do të ketë gjatësi 7,879 metra. Nga fillimi i trekëndëshit hekurudhor deri në fund të linjës, lëvizja e trenave parashikohet si vijon:

– Në hyrje të linjës së Porto Romanos, trenat do të kalojnë në dy ndërrues hekurudhorë që do të instalohen në linjën kryesore Durrës–Sukth, duke shënuar fillimin e trekëndëshit hekurudhor. Pas rreth 1.1 km në drejtim të Porto Romanos, trenat do të kalojnë në një ndërrues tjetër, i propozuar të jetë simetrik për shkak të funksionit të tij.

– Më pas, treni do të përshkojë rreth 4.7 km deri në hyrje të stacionit të pranimit dhe nisjes.

– Pas daljes nga stacioni, do të përshkohen edhe rreth 1.1 km deri në hyrje të portit të Porto Romanos.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor