
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar kërkesën e deputetëve të opozitës dhe ka shfuqizuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit që rregullonin funksionimin e komisioneve të përhershme parlamentare.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka konstatuar parregullsi në ndjekjen e procedurës së përshpejtuar dhe në mënyrën e thirrjes së mbledhjeve, duke vlerësuar se janë cenuar standardet kushtetuese të procesit parlamentar. Sipas trupës gjykuese, vendimmarrja e Kuvendit bie ndesh me parimin e demokracisë përfaqësuese, pasi është prekur liria e ushtrimit të mandatit nga deputetët, për shkak të shkeljes së rregullave mbi thirrjen dhe zhvillimin e mbledhjes si dhe procedurën e miratimit të rregullores.
Si rrjedhojë, Gjykata ka konkluduar se vendimi për miratimin e rregullores së re është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe duhet të shfuqizohet.
Ndryshimet ishin miratuar vetëm tre ditë pas konstituimit të legjislaturës, me 79 vota pro, duke rritur numrin e komisioneve të përhershme nga 8 në 11. Gjatë votimit, deputetët e Partia Demokratike e Shqipërisë braktisën seancën, duke e cilësuar procesin si një “puç kushtetues”.
Një e pesta e deputetëve e dërgoi çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se procedura zgjati rreth një orë dhe nuk u dha mundësia për paraqitjen e amendamenteve. Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipërisë argumentoi gjatë seancës se, për shkak të urgjencës, kishte zbatuar rregulloren në masën e mundshme.
Pas këtij vendimi, numri i komisioneve të përhershme rikthehet përkohësisht në 8. Kuvendi ka afat 30 ditë nga botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare për të ripërsëritur procedurën në përputhje me standardet kushtetuese.