Vendosni fjalën kyçe....

Greqia shtrëngon kontrollet për të ardhurat e padeklaruara të huaja


Mijëra taksapagues në Greqi, – individë dhe subjekte që disponojnë llogari jashtë territorit kombëtar, – po i nënshtrohen një mbikqyrjeje të shtuar, pasi vendi ka vënë në funksion një nga mekanizmat më të gjerë globalë për shkëmbimin e informacionit financiar.

Çdo vit, mbi 120 shtete transmetojnë automatikisht të dhëna të hollsishme tek Autoriteti i Pavarur për të Ardhurat Publike (AADE). Informacioni përfshin balancat e depozitave bankare, interesat e përfituara, dividentët, transaksionet investuese, si dhe identitetin e bashkëmbajtësve të llogarive.

Në bazë të të dhënave të marra për vitin 2025, AADE ka kryer kontrolle të kryqëzuara mes deklarimeve tatimore dhe informacionit të ardhur nga jashtë. Si pasojë, janë konstatuar të ardhura të padeklaruara nga burime të huaja dhe janë vendosur detyrime shtesë tatimore në vlerë totale 20.7 milionë euro për 12,770 tatimpagues.

Mekanizmi i funksionimit

Sistemi operon në mënyrë të automatizuar dhe të vijueshme, pa kërkesa individuale dhe pa njoftim paraprak ndaj subjektit të kontrolluar. Pavarësisht daallimeve në numrat e identifikimit tatimor mes vendeve, autoritetet raportojnë se identifikimi i individëve është përmirësuar ndjeshëm.

Mbajtja e llogarive bankare apo investimeve jashtë vendit është plotësisht e ligjshme. Shkelja lind kur të ardhurat e krijuara prej tyre, – interesa, dividentë ose fitime kapitale, – nuk raportohen sipas detyrimeve tatimore.

Zgjerimi drejt kriptomonedhave

Për herë të parë, Greqia do marrë të dhëna edhe për investime në kriptomonedha nga 67 shtete. Kjo do t’i lejojë autoritetet të verifikojnë nëse zotërimet në asete digjitale burojnë nga të ardhura të deklaruara, në kuadër të strategjisë për luftimin e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.