
Partia e Lirisë ka akuzuar qeverinë se favorizon luksin dhe oligarkët, ndërsa nuk ul çmimet e produkteve bazë për qytetarët.
Sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi deklaroi se mazhoranca nuk ka ndërmarrë masa për të ulur çmimin e bukës, vezës, qumështit, vajit dhe miellit, por ka hequr TVSH-në për jahtet luksoze, ka ulur taksat për resortet me 5 yje dhe ka falur detyrime për ndërtuesit dhe përfituesit e tokave publike.
“Qeveria nuk ul çmimin e bukës! Nuk ul çmimin e një kokërr veze. Nuk ul çmimin e qumështit! Nuk ul çmimin e vajit! Nuk ul çmimin e miellit.
Por çfarë bën kjo Qeveri? Heq TVSH-në për importin e jahteve luksoze. Ul taksat për resortet me 5 yje. Fal tatime për oligarkët e betonit dhe zaptuesit e tokës publike dhe të bregdetit. Në një shtet ku buka e gojës tatohet më shumë se luksi, nuk është shtet social, është shtet kriminal. Çfarë qeverie është kjo që u shtrëngon barkun të varfërve dhe u shton oreksin të pasurve?”, deklaron ai.