
Të paktën 10 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në Luginën Bekaa të Libanit, thanë dy burime sigurie për Reuters, pasi ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar vendndodhjet e Hezbollahut në zonën e Baalbek.
Sulmet e së premtes ishin ndër më vdekjeprurëset e raportuara në Libanin lindor në javët e fundit dhe rrezikojnë të vënë në provë një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe grupit islamik shiit Hezbollah, i cili është tensionuar nga akuzat e përsëritura për shkelje.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se goditi qendrat e komandës së Hezbollahut në zonën Baalbek, pjesë e Luginës Bekaa të Libanit lindor.
Në një deklaratë të veçantë të shtunën, tha se kishte “eliminuar disa terroristë të grupit të raketave të Hezbollahut në tre qendra të ndryshme komanduese… të identifikuara së fundmi si persona që vepronin për të përshpejtuar proceset e gatishmërisë së organizatës dhe të ndërtimit të forcës, ndërsa planifikonin sulme me zjarr drejt Izraelit”.
Hezbollahu tha të shtunën se tetë luftëtarë të saj, përfshirë një komandant, Hussein Mohammad Yaghi, u vranë në sulmet e së premtes në zonën Bekaa.
Izraeli dhe Hezbollahu ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të në vitin 2024, që synonte t’i jepte fund shkëmbimeve të zjarrit ndërkufitar që kulmuan me sulme izraelite që dobësuan grupin e lidhur me Iranin. Që atëherë, palët kanë shkëmbyer akuza për shkelje të armëpushimit.