
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se situata në segmentin Arrat e Gurrës, në aksin Librazhd-Pogradec, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Pas vlerësimit në terren dhe në koordinim me Policinë e Shtetit, është vendosur ndalimi i qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët në këtë segment, deri në një njoftim të dytë. Masa është marrë për arsye sigurie dhe për të parandaluar incidente të mundshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të rënda dhe operatorëve të transportit të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës.
ARRSH kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, duke theksuar se çdo masë e ndërmarrë ka si qëllim garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve.