Vendosni fjalën kyçe....

Shembje dhe çarje në aksin Grekan–Shelg, rrezik për izolimin e fshatrave në Belsh



Reshjet e shiut që përfshinë vendin ditët e fundit kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në aksin Grekan–Shelg, në territorin e Belshit. Shembjet dhe çarjet në trupin e rrugës kanë rritur ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.

Sipas informacioneve nga terreni, dëmtimet në këtë segment rrugor po përparojnë gradualisht, duke sinjalizuar degradim të strukturës mbajtëse. Çarjet e thelluara dhe rrëshqitjet anësore kanë krijuar paqëndrueshmëri në disa pika, çka mund të sjellë pasoja serioze nëse nuk ndërhyhet në kohë nga autoritetet përgjegjëse.

Banorët shprehen të shqetësuar se përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes së rrugës mund të çojë në izolimin e disa fshatrave të zonës. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e trupit të rrugës, forcimin e bazamentit dhe shmangien e një shembjeje të plotë të segmentit të dëmtuar.

Aksi Grekan–Shelg lidh Bashkinë Belsh me Cërrikun. Punimet për ndërtimin e tij, me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nisën në vitin 2019 dhe përfunduan në nëntor të vitit 2023.