Vendosni fjalën kyçe....

Policia nuk merr përsipër protestën e opozitës, Berisha paralajmëron “fundin e regjimit”



Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk merr përsipër zhvillimin e protestës së opozitës, e cila pritet të mbahet sot në orën 18:00 përpara Kryeministrisë. Autoritetet argumentojnë se vendimi vjen pas analizës së riskut dhe pas incidenteve të mëparshme gjatë tubimeve opozitare, ku pati hedhje molotovësh dhe mjete piroteknike.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konsideruar këtë vendim si një “provokim të rëndë”, duke theksuar se protestat e opozitës kanë qenë paqësore.

“Ne bëjmë protesta paqësore, jemi opozitë demokratike, nuk kemi banditë si Proda dhe Bizhga. Ky është një akt provokacioni i rëndë. Ne do të vijojmë deri në fitore të plotë”, tha Berisha gjatë një konference për shtyp.

Berisha ka ftuar qytetarët të bashkohen në protestën që do të mbahet sot përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar 20 shkurtin e këtij viti si një “ditë historike”. Ai e krahasoi me 20 shkurtin e vitit 1991, që solli pranverën e demokracisë, duke theksuar se protesta e sotme synon përmbysjen e regjimit aktual dhe mbrojtjen e të ardhmes së vendit.

“Sot është dita e çdo qytetari për të shprehur zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit, e guximit, e misionit. Ftesa ime për mbarë shqiptarët është të bashkohemi në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes tonë”, tha Berisha.

Policia ka paralajmëruar qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat ku pritet protesta dhe të përdorin rrugë alternative, duke garantuar ndërkohë masat për rendin dhe sigurinë publike.