
Partia Demokratike ka denoncuar një rast që, sipas saj, lidhet me cenimin e pronës private dhe mungesën e transparencës institucionale në zonën e Kodër Babrru, në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli, bëri të ditur se banorët e zonës akuzojnë kompaninë “KAYO” për përvetësim të paligjshëm të tokës dhe për mashtrim mbi natyrën reale të investimit që po zhvillohet pranë banesave të tyre.
Sipas Vangjelit, bëhet fjalë për pronat me numra 173 dhe 174, të regjistruara në kadastër si pronë e familjes Dervishi, të cilat – sipas denoncimeve – janë kaluar në administrim të Ministria e Mbrojtjes për llogari të kompanisë “KAYO”, pa transparencë dhe pa sqarim publik.
PD pretendon se zona është rrethuar, ruhet nga ushtarë dhe se pronarët nuk lejohen të hyjnë në pronën e tyre, ndërsa mungon tabela informuese mbi kufizimet apo natyrën e projektit.
Në deklaratë thuhet se pranë banesave, rreth 5 metra larg, po ndërtohet një fabrikë municionesh dhe njësi për demontimin e armëve, një aktivitet që sipas opozitës përbën rrezikshmëri të lartë dhe që duhet të jetë larg zonave të banuara.
Sipas PD-së, në tabelën e lejes së ndërtimit objekti përshkruhet si “ndërtim i fabrikës së tekstileve, dy kate mbi tokë”, me zhvillues “Kayo” dhe sipërmarrës “MSSC Group shpk”. Opozita ngre dyshime se nëse projekti real lidhet me prodhim apo demontim armësh, atëherë kemi të bëjmë me fshehje të qëllimshme të natyrës së investimit.
Sipas deklaratës, banorët kanë protestuar, kanë depozituar kallëzim penal dhe kanë paralajmëruar se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe transparent të rastit, pezullim të menjëhershëm të punimeve dhe sqarim publik mbi statusin e pronës dhe natyrën e investimit.
Në fund të deklaratës, PD bën thirrje për reagim qytetar, duke e cilësuar çështjen si pjesë të një modeli qeverisjeje që, sipas saj, cenon pronën private dhe interesin publik.