Vendosni fjalën kyçe....

Opozita protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kërkohet dorëheqja e Ramës dhe Ballukut



Opozita pritet të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, të cilën e cilëson si një përballje të fortë me korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit.

Partia Demokratike ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, pas asaj që opozita i konsideron skandale që kanë tronditur qeverinë.

Sipas PD-së, protesta është “zëri i qytetarëve që nuk pranojnë më pandëshkueshmërinë dhe kapjen e shtetit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë vendi që të bashkohen në tubim, duke theksuar se kjo nuk është një protestë e një dite, por një lëvizje për të ardhmen e vendit dhe demokracisë.

Berisha është shprehur se aksioni opozitar do të vijojë dhe ka paralajmëruar përshkallëzim të situatës nëse, sipas tij, nuk do të ketë reflektim nga qeveria. Ai ka paralajmëruar gjithashtu efektivët e policisë që të mos ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.

Kujtesë nga protesta e 10 shkurtit

Protesta e 10 shkurtit zgjati rreth tre orë. Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën përpara Kuvendit, ku pati përplasje me forcat e rendit.

Gjatë asaj proteste u raportua për hedhje lëndësh piroteknike, molotovë dhe gurë, si edhe përleshje fizike me policinë. Forcat e rendit ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës, si dhe kryen disa arrestime.

Autoritetet pritet të kenë masa të shtuara sigurie edhe për tubimin e sotëm.