Vendosni fjalën kyçe....

Oerd Bylykbashi denoncon qeverinë Rama në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së



Në sesionin “Të drejtat e njeriut si bazë për sigurinë” në Vjenë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, bllokimin e drejtësisë, ndikimin e krimit të organizuar dhe shkelje të standardeve zgjedhore.

Bylykbashi u shpreh se këto fenomene po ngushtojnë hapësirat demokratike dhe po krijojnë destabilitet politik në vend, duke i bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.

Deputeti demokrat u ndal edhe tek hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se po tentohet të pengohet puna e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Përpjekjet e fundit të prokurorëve për të hetuar raste të nivelit të lartë, përfshirë Zëvendëskryeministrin, janë penguar, ndërsa nisma legjislative synojnë të bllokojnë prokurorët e posaçëm”, tha Bylykbashi.

Ai u shpreh se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u karakterizuan nga një abuzim i përhapur me pushtetin shtetëror dhe burimet publike. Sipas Bylykbashit, kufiri midis shtetit dhe partisë në pushtet ishte i mjegulluar, duke lejuar qeverinë socialiste të përfitonte në mënyrë disproporcionale dhe duke minuar barazinë e garës.

Ai shtoi se kishte presion mbi votuesit, raste të përhapura të blerjes së votës dhe përfshirje të krimit të organizuar në mbështetje të kandidatëve të partisë në pushtet. Ndërkohë, opozita është përballur me presion të vazhdueshëm, përfshirë ndjekje penale me motive politike.

Bylykbashi theksoi se këto zhvillime kanë ushqyer një pakënaqësi publike në rritje dhe se protesta të mëdha të opozitës vazhdojnë të zhvillohen, duke përfshirë edhe një të planifikuar për sot.

Ai përfundoi fjalimin me një thirrje për ndjekje kuptimplote nga Asambleja e OSBE-së, duke theksuar se Shqipëria ilustron se si shkeljet e standardeve demokratike zgjedhore mund të çojnë në regres institucional dhe paqëndrueshmëri politike.

“Për këtë arsye, një ndjekje kuptimplote nga kjo Asamble është thelbësore. Ju faleminderit”, u shpreh Bylykbashi.