Vendosni fjalën kyçe....

Molotov, gaz lotsjellës e përlasje të forta, çfarë ndodhi në protestën 3 orëshe të opozitës


Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u shndërrua sërish në një arenë thirrjesh për drejtësi dhe largim të qeverisë këtë të premte, ndërsa mijëra mbështetës të Partisë Demokratike rrethuan selinë e Kryeministrisë. Me parullat “Rama ik” dhe “Rama në burg”, protesta shënoi një përshkallëzim të ri të aksionit opozitar.

Për më shumë se tre orë, opozita organizoi protestën e thirrur prej saj, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1991. Kreu i PD-së Berisha foli për “farsë zgjedhore”, përqendrim pushteti dhe kapje të institucioneve, duke e paraqitur situatën si një rikthim simbolik të praktikave të së shkuarës.

Pas fjalimeve që kulmuan me fjalën e kreut të PD-së Berisha, protestuesit e mbledhur nisën të qëllojnë me fishekzjarre e molotov drejt kryeministrisë me policinë që u kundërpërgjigj me makinat ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës.

“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara,” deklaroi Berisha mes brohoritjeve.

“Le ta dinë mirë: edhe nëse fshihen prapa diellit, ne do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me forcën e plotë të ligjit.”

Në qendër të protestës është zv.kryeministrja Belinda Balluku. Edhe pse Gjykata Antikorrupsion e ka pezulluar atë nga detyra, fati i saj ligjor mbetet i varur nga vota e Parlamentit. Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e imunitetit të saj për të mundësuar arrestimin, por mazhoranca socialiste, që gëzon një shumicë komode pas fitores së mandatit të katërt vitin e kaluar, ende nuk ka dhënë një sinjal të qartë se kur do të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Më pas kreu i PD-së Berisha, deputetët dhe protestuesit u drejtuar për nga Kuvendi por pas gazit lotsjellës që mbrëmjen e sotme hodh pa kursim, ata u futën në selinë e PD-së.

Nuk munguan tensionet e përplasjet mes deputetëve të PD-së e forcave të rendit ndërsa gazi lotsjellës përfshiu edhe xhaminë e Namazgjasë ku besimtarët po dilnin pas përfundimit të namazxit të taravive që falen në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Krerët e opozitës dhe protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ata kërkuan dorëheqjen e kabinetit dhe krijimi i një qeverie teknike.

Nga përplasjet pati të lënduar me një të ri u godit në pjesën e pasme të kokës nga një bombol gazi dhe përfundoi në spitalin e Traumës. Gjithashtu, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, mori djegie në tre gishta dhe u trajtua në QSUT.

Akuzë për dhunë nga policia u bë edhe nga kandidatja për deputete e PD-së Senada Mehmeti e cila akuzoi efektivët se e qëlluan me plumb gome në kokë.

Pas shpërndarjes së protestës, Sali Berisha, nga selia e Partisë Demokratike, akuzoi policinë si “bandë e veshur me uniformë” dhe paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar me protesta të tjera.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se mbi 40 persona ishin ndaluar nga policia dhe raportoi përplasje direkte mes përfaqësuesve të opozitës dhe forcave të rendit.