Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë së Namazgjasë ndërsa besimtarët faleshin, akt i papranueshëm


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar Policinë e Shtetit se ka hedhur gaz lotsjellës në ambientet e Xhamia e Namazgjasë, gjatë tensioneve të krijuara në zonë, ku militantë kanë hedhur molotovë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson veprimin e policisë si të rëndë dhe të papranueshëm, duke e konsideruar një cenim të hapur të lirisë së besimit. Sipas tij, ndërhyrja ka përbërë një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

Ngjarja ka ndodhur në një moment tensioni, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nga autoritetet dinamika e plotë e përplasjes dhe rrethanat në të cilat është përdorur gazi lotsjellës.

“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik. Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish.” – shkruan Bardhi.