
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm rikonfirmoi vendimin e Gjykatës së Tiranës për marrjen e masës së sigurimit të padisë ndaj ortakut Mabco (Behgjet Pacolli) në kompaninë koncesionare VIA të ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Trupi gjykues i përbërë nga Marsela Dervishi si relatore dhe Alma Kolgjoka dhe Ornela Nawellari si anëtare, pas 6 orësh seancë, vendosi në favor të ortakut Valon Ademi. Në këtë mënyrë, VIA kontrollohet vetëm nga ortaku 2AGroup i Valon Ademit. Kjo është në kuadër të padisë së dytë kundër Pacollit për përjashtimin e tij si ortak për shkak të shkeljeve shumë të rënda të tij në dëm të VIA dhe ortakut Ademi, por edhe në dëm të shtetit dhe bankës kredidhenëse.
Padia e parë ka të bëjë me mashtrimet e Pacollit për mosregjistrimin e kontratave të blerjes dhe zotërimit të 49% të aksioneve në aeroport të 2A të V. Ademit.
Në këtë padi është marrë masa tjetër e sigurimit të padisë, duke pezulluar Pacollin nga vendimmarrja e kuotave të paregjistruara akoma.
Njëkohësisht, Prokuroria e Tiranës është në mbyllje të hetimeve ndaj Pacollit dhe njerëzve rreth tij për mashtrim, pastrim të parave dhe vepra të tjera penale.
Vendimi:
Pala: Paditës: VIA, 2A Group
I paditur: Mabco
Objekti: Përjashtim ortaku, marrja e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e votës së ortakut Mabco dhe çdo të drejtë që buron nga zotërimi i kuotës.
Gjykata e shkallës së parë ka pranuar marrjen e masës së sigurimit të padisë.
Në seancën e dt. 19.02.2026, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit.
Sjellja e palës së paditur, shoqëria Mabco, në disa veprime të saj juridike shprehlfi parashikimet ligjore dhe pozitën e ortakut pakicë, duke u sjellë si kontrolluese e vetme në shoqëri. Veprimet kulmuan me firmosjen e kontratës Delfos Compartment Bernina. Praktikisht, kjo do të thotë se, pas mbylljes së “Compartment Bernina”, kontrolli ekonomik mbi të ardhurat, llogaritë dhe të drejtat e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës kalon në mënyrë të pakthyeshme dhe të legalizuar te investitorë privatë anonimë jashtë juridiksionit shqiptar, ndërsa Shteti Shqiptar nuk ka më asnjë instrument ligjor për të kërkuar kthimin e pasurive publike që i përkisnin këtij projekti.
Gjykata gjeti të drejtë se çdo përpjekje e shoqërisë për ndryshim statuti, duke anuluar kuotat e ortakut 49%, konvenjon me veprime që përputhen me qëllimin e fshehtë të shitjes së Aeroportit tek subjekte të panjohura fundore, duke e kamufluar si kontratë kredie.


