Komandanti më i lartë i forcave amerikane për Amerikën Latine, gjenerali Francis L. Donovan, së bashku me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Joseph Humire, bënë një vizitë të papritur të mërkurën në Venezuelë për bisedime me autoritetet e përkohshme rreth çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, njoftuan zyrtarët për Reuters.
Vizita e delegacionit ushtarak të SHBA-së në kryeqytet, Caracas, është e para që prej operacionit të fundit amerikan që rezultoi në kapjen e ish-Presidentit Nicolas Maduro dhe sjelljen e tij në New York për të përballuar akuza të lidhura me trafik droge. Delegacioni u takua me presidenten në detyrë Delcy Rodríguez, si dhe me ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino dhe ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello, me të cilët ranë dakord të punojnë së bashku kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe migracionit.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e ShBA-së në Venezuelë, Laura Dogu. Sipas Komandës së Jugut të SHBA, diskutimet u përqendruan te mjedisi i sigurisë, hapat për zbatimin e planit tre-fazor të administratës së Presidentit Donald Trump – veçanërisht faza e stabilizimit të Venezuelës – si dhe rëndësia e sigurisë së përbashkët në Hemisferën Perëndimore.
Qeveria venezueliane theksoi se takimet riafirmuan se diplomacia duhet të jetë mekanizmi për zgjidhjen e dallimeve dhe adresimin e interesave dypalëshe dhe rajonale.
Kjo vizitë ushtarake vijon disa lëvizje të tjera të larta amerikane në Venezuelë, përfshirë edhe një mision të sekretarit amerikan të Energjisë në javët e fundit, duke nënvizuar përpjekjet e Uashingtonit për të përdorur fuqinë ushtarake dhe politikën energjetike për të nxitur reforma të gjera në vend.
