
Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, deklaroi se një ministër mund të pezullohet nga detyra në çdo kohë, duke theksuar se ai nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Sipas Qorit, pezullimi i një deputeti përbën çështje më të ndjeshme sesa ai i një ministri, pasi deputeti, si ligjvënës, merr mandatin drejtpërdrejt përmes votës së qytetarëve.
“Ka shumë rëndësi të bëjmë një ndarje mes atyre që zgjidhen nga populli dhe për pasojë kanë të drejta të veçanta sepse janë të pazëvendësueshëm menjëherë. Sepse nëse pezullohet një deputet që e ka fituar mandatin, ti duhet të bësh zgjedhje nga e para për ta zëvendësuar atë deputet. Një ministër, një kryeministër, një president janë të zgjedhur nga një institucion, jo nga populli. Pra nuk pezullohet puna e një ministrie. Ministri është i heqshëm nga detyra në çdo çast”, tha Qori.
Më tej Qori shtoi se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij janë kthyer në një mburojë për Ballukun, sepse pavarësisht vendimit të pezullimit, ende nuk e ka shkarkuar atë nga detyra.
“Edi Rama e humbi betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese, sepse vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut mbeti në fuqi. Dhe në vend që ta zbatonte ligjin dhe të merrte masa dhe ta shkarkonte Ballukun, ju kujtoj që ende nuk e ka shkarkuar Ballukun, megjithëse vendimi për pezullimin e saj është në fuqi. Sot Balluku është e pezulluar, nuk shkon dot në zyrë dhe Rama ankohet që nuk funksionin ministria, ai nuk e ka shkarkuar Belinda Ballukun. Madje thotë ‘u ndëshkua qeveria dhe unë nga vendimi i Kushtetueses? Unë ndryshoj ligjin’. Pra ‘kur ligjin e kam kundër, unë në vend që të marr përgjegjësinë dhe të zbatoj atë që më urdhëron ligji, pra të shkoj te shkarkimi i Ballukut, ndryshoj ligjin’. Është si një lojtar që bën gol me dorë, i thonë ke shkelur rregulloren dhe ai thotë ‘e ndryshoj rregullin unë, që herën tjetër të më lejohet mua që të bëj gol me dorë. Unë kam topin dhe penalltinë e gjuaj vetë’. Prokurori, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, që vetëm në një mendësi konspiracioni siç mendon Rama, këta janë bërë bashkë, sepse i duhet edhe armiku”, shtoi Qori.