
Në përfundim të sesionit qendror të Ministerialit për Korridorin VIII në Tiranë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mbajti një konferencë për shtyp së bashku me homologët e saj, Antonio Tajani, Timčho Mucunski dhe Nikolay Pavlov.
Spiropali njoftoi se fokusi i Ministerialit ishte progresi praktik për Korridorin VIII, duke theksuar nevojën që segmentet kombëtare të avancohen në mënyrë të sinkronizuar.
“Hekurudha duhet të lidhet me hekurudhën, rruga me rrugën, dhe portet duhet të lidhen me zonat e tyre ekonomike, pa vonesa apo pengesa strukturore. Për herë të parë, po harmonizojmë afatet kohore dhe prioritetet përgjatë gjithë korridorit,” tha Spiropali.
Ministrja theksoi rëndësinë e harmonizimit të standardeve, thjeshtimit të procedurave dhe koordinimit të financimeve europiane dhe ndërkombëtare. “Do të fokusohemi në plotësimin e hallkave që mungojnë dhe në ndjekjen e rregullt politike të ecurisë së projektit,” shtoi ajo.
Si rezultat i dakordësimit politik, pjesëmarrësit miratuan Deklaratën e Përbashkët të Tiranës për Korridorin VIII, e cila synon ta kthejë këtë projekt jo vetëm në një vijë në hartë, por në një korridor të vërtetë evropian me funksion të plotë dhe bashkëpunim ndërinstitucional të fuqishëm.