
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po vijon edhe sot me paraqitjen e deklaratave përmbyllëse nga përfaqësuesi i viktimave dhe nga mbrojtja, ndërsa pritet të flasin personalisht edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, u përgjigj për pretendimet e ngritura nga palët. Fillimisht ai u mor me pretendimin e mbrojtjes së Rexhep Selimit se mbrojtësi i viktimave nuk ka treguar lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe Selimit.
Avokati Dixon kërkoi që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm Kadri Veselin, pasi tha se nuk ka prova që e lidhin atë me krimet e pretenduara në atakuzë.
Ai kritikoi ZPS-së se nuk ka ofruar një lidhje mes pretendimeve se Veseli ka kryer krime.
Ky, tha ai, është “dembellëk dhe përbuzje të kësaj gjykate që nuk është krijuar për hir të dënimit”, shkruan REL.
Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se Prokurorisë së Specializuar i “vjen turp” për argumentet që ka ndaj klientit të tij.
“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha ai në nisje të fjalës së tij.
Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit.
Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.
Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “i pabazuar”.