
Ushtria e Shteteve të Bashkuara po përgatitet për mundësinë e operacioneve të vazhdueshme disajavore kundër Iranit, nëse Presidenti Donald Trump urdhëron një sulm. Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë Reuters se ky mund të shndërrohet në një konflikt shumë më serioz se ata që janë parë më parë mes dy vendeve.
Zbulimi i bërë nga zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës sensitive të planifikimit, rrit rreziqet për diplomacinë që po zhvillohet aktualisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Diplomantët amerikanë dhe iranianë mbajtën bisedime në Oman javën e kaluar në një përpjekje për të ringjallur diplomacinë mbi programin bërthamor të Teheranit, pasi Trump grumbulloi forca ushtarake në rajon, duke rritur frikën për aksione të reja ushtarake.
Zyrtarët amerikanë deklaruan të premten se Pentagoni po dërgonte një aeroplanmbajtëse shtesë në Lindjen e Mesme, duke shtuar mijëra trupa të tjerë së bashku me avionë luftarakë, destrojerë me raketa të drejtuara dhe fuqi tjetër zjarri të aftë për të kryer sulme dhe për t’u mbrojtur prej tyre.
Trump, duke u folur trupave amerikane të premten në një bazë në Karolinën e Veriut, tha se kishte qenë “e vështirë të arrihej një marrëveshje” me Iranin. “Ndonjëherë duhet të kesh frikë. Kjo është e vetmja gjë që me të vërtetë do të bëjë që situata të zgjidhet,” tha Trump.
E pyetur për koment mbi përgatitjet për një operacion ushtarak potencialisht të zgjatur të SHBA-së, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump i ka të gjitha opsionet mbi tavolinë në lidhje me Iranin.”
Ajo shtoi se ai dëgjon një sërë këndvështrimesh për çdo çështje të dhënë, por merr vendimin përfundimtar bazuar në atë që është më e mira për vendin dhe sigurinë kombëtare. Pentagoni refuzoi të komentonte.
Shtetet e Bashkuara dërguan dy aeroplanmbajtëse në rajon vitin e kaluar, kur kryen sulme kundër objekteve bërthamore iraniane. Megjithatë, operacioni “Midnight Hammer” i qershorit ishte në thelb një sulm i vetëm, me bombardues tejzanorë (stealth) që fluturuan nga SHBA-ja për të goditur impiantet bërthamore. Irani kreu një sulm hakmarrës shumë të kufizuar në një bazë amerikane në Katar.
Rreziqet
Planifikimi që po vijon këtë herë është më kompleks, thanë zyrtarët. Në një fushatë të vazhdueshme, ushtria amerikane mund të godasë objektet shtetërore dhe të sigurisë iraniane, jo vetëm infrastrukturën bërthamore, tha një nga zyrtarët, duke refuzuar të jepte detaje specifike.
Ekspertët thonë se rreziqet për forcat e SHBA-së do të ishin shumë më të mëdha në një operacion të tillë kundër Iranit, i cili gëzon një arsenal të frikshëm raketash. Sulmet hakmarrëse iraniane rrisin gjithashtu rrezikun e një konflikti rajonal. I njëjti zyrtar tha se SHBA-ja pret plotësisht që Irani të hakmerret, duke çuar në goditje dhe kundërpërgjigje të njëpasnjëshme për një periudhë kohore, shkruan Reuters.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth rreziqeve të hakmarrjes apo konfliktit rajonal. Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të bombardojë Iranin për programet e tij bërthamore dhe të raketave ballistike, si dhe për shtypjen e mospajtimit të brendshëm. Të enjten, ai paralajmëroi se alternativa ndaj një zgjidhjeje diplomatike do të ishte “shumë traumatike, shumë traumatike”.
Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar se në rast sulmesh në territorin iranian, ata mund të hakmerren kundër çdo baze ushtarake amerikane. SHBA-ja mban baza në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë Jordaninë, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Katarin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua me Trump për bisedime në Uashington të mërkurën, duke thënë se nëse arrihet një marrëveshje me Iranin, “ajo duhet të përfshijë elementët që janë jetikë për Izraelin”. Irani ka deklaruar se është i përgatitur të diskutojë kufizimet në programin e tij bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve, por ka përjashtuar lidhjen e kësaj çështjeje me raketat.