
Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë takuar në Mynih për të konkretizuar hapat e zbatimit të Deklaratës së Bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, një lëvizje që synon rritjen e stabilitetit rajonal, por që ka nxitur reagime të ashpra në Beograd.
Gjatë takimit ndërmjet Ejup Maqedoncit, Pirro Vengut dhe Ivan Anushiqit, u diskutua mbi projektet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes dhe forcimin e ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura. Një prej pikave kyçe të këtij bashkëpunimi pritet të jetë organizimi i stërvitjes së parë të përbashkët ushtarake gjatë këtij viti, si dhe blerja e koordinuar e armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri kroat, Anushiq, sqaroi se ky partneritet nuk rrezikon askënd, por është i orientuar drejt forcimit të sigurisë në Evropën Juglindore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, se investimet në ushtri dhe polici po bëhen me qëllim që askush të mos guxojë të mësyjë më Kosovën. Ky angazhim trepalësh ka marrë edhe “bekimin” e tërthortë të NATO-s. Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Aleancës, Radmilla Shekerinska, u shpreh se anëtarësia në NATO nuk i pengon shtetet aleate si Shqipëria dhe Kroacia të lidhin marrëveshje mbrojtjeje me palë të treta, duke i vlerësuar ato si kontribuuese të rëndësishme për paqen në rajon.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka parë këto lëvizje si një provokim të drejtpërdrejtë dhe një përpjekje për të shqetësuar shtetin e tij. Duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë, Vuçiq paralajmëroi investime masive shtesë në industrinë ushtarake serbe, duke njoftuar se rreth 40 për qind e prodhimit vendas të armatimit do të destinohet tashmë për nevojat e ushtrisë serbe.
Pavarësisht toneve të tensionuara nga Beogradi, dokumenti i nënshkruar mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit parashikon katër shtylla kryesore: zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, trajnimet e përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e plotë për integrimin euroatlantik të Kosovës.