
Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP) ka siguruar një shumicë prej dy të tretave në zgjedhjet e përgjithshme, sipas shifrave zyrtare. BNP ka fituar 204 mandate, duke kaluar ndjeshëm pragun e nevojshëm, ndërsa Jamaat ka marrë 76 vende, thuhet në njoftimin zyrtar. Në një parlament me 300 anëtarë, shumica arrihet me 151 mandate.
Këto janë zgjedhjet e para që nga kryengritja e vitit 2024, e cila rrëzoi regjimin e ish-kryeministres Hasina. Njëkohësisht me zgjedhjet, votuesit miratuan me shumicë të thjeshtë edhe një referendum për reforma zgjedhore dhe gjyqësore, që përfshin kufizimin e mandateve të kryeministrit në dy. Rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.
Votimi u zhvillua për 299 nga 300 vendet parlamentare, ndërsa 50 vende shtesë janë të rezervuara për gratë dhe do të ndahen nga partitë politike. Në Bangladesh janë 127.7 milionë votues të regjistruar; 56 milionë prej tyre, ose rreth 44%, janë të moshës 18 deri në 37 vjeç. Afërsisht 5 milionë qytetarë votuan për herë të parë.
Sundimi 15-vjeçar i partisë së Hasinës përfundoi në një kryengritje të dhunshme në gusht 2024, e udhëhequr, sipas raportimeve, nga protestues të ashtuquajtur të “Gjeneratës Z”. Hasina u largua në Indi dhe më pas u dënua me vdekje në mungesë. Hasina që kishte dominuar politikën e vendit për një çerek shekulli, u ndalua të merrte pjesë në zgjedhje nga administrata e përkohshme.
Rivali kryesor i BNP-së, Liga Aëami ka shprehur shqetësime lidhur me procesin e numërimit të votave. “Nuk jemi të kënaqur me procesin rreth rezultateve të zgjedhjeve,” deklaroi partia, sipas AFP, duke u bërë thirrje mbështetësve të “qëndrojnë të durueshëm.”
Me ndalimin e Lidhjes Aëami, gara u zhvillua mes disa forcave kryesore politike. BNP drejtohet nga Tarique Rahman, djali i ish-kryeministres Khaleda Zia, rivale e kahershme e Hasinës, shkruan Rt.
BNP kishte bojkotuar zgjedhjet e viteve 2014 dhe 2024 dhe kishte kundërshtuar rezultatet e vitit 2018. Rahman u rikthye në Bangladesh në dhjetor, pas 17 vitesh në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, Partia e Qytetarëve Kombëtarë, e krijuar nga grupi që udhëhoqi lëvizjen kundër Hasinës në korrik-gusht 2024, ishte aleate me Jamaat.