
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Forcën e Posaçme Operacionale, ka përmbyllur një operacion që çoi në prangosjen e tre personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit me iniciale A.I., E.K. dhe H.E. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 459 gramë lëndë e dyshuar kokainë. Ndërkohë, në fazat e mëparshme të hetimit, përmes blerjeve të stimuluara nga agjentë të infiltruar, ishin siguruar si provë materiale edhe 12.5 gramë kokainë.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet janë në vijim për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.